Noka “mobilizon” demokratët: Afroni ata që kanë qenë në struktura paralele të Bashës! Ja dokumenti
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u ka nisur një udhëzim degëve të partisë, ku u kërkon ‘mobilizim’, teksa po afrohen zgjedhjet përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Në kuadrin e bashkimit të çdo energjie opozitare, ky udhëzim është për afrimin dhe kooptimin në strukturat e PD-së “të të gjithë atyre që kanë qenë në struktura paralele”, duke iu referuar me këtë term demokratëve që kanë mbështetur Lulzim Bashën.
Më tej në udhëzim, Flamur Noka kërkon që të gjithë drejtuesit politik duhet të punojnë për bashkimin e strukturave, po ashtu dhe të evidentojnë të gjithë personat me influencë në zonat e tyre dhe për t’i afruar ata me Partinë Demokratike.
a)Institucionet dhe forumet drejtuese të Partisë Demokratike, veçanërisht strukturat e saj në qendër dhe në bazë, kanë përgjegjësinë e madhe të bashkimit në një front të vetëm opozitar, të çdo anëtari apo ish-anëtari të Partisë Demokratike, të çdo opozitari dhe kontributori në kauzën opozitare, të çdo fluksi dhe rrymë antiregjim, me synim të vetëm fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme;
b) Drejtuesit politikë dhe strukturat drejtuese të degëve të Partisë Demokratike marrin të gjitha masat organizative për të mundësuar një front sa më të gjerë opozitar. Demokratët duhet të kenë parasysh se në thelb të këtij bashkimi qëndron kontributi i të gjithëve, pa asnjë dallim, si kusht thelbësor për fitoren tonë të ardhshme;
c) Përveç organizimit strukturor në çdo qelizë të saj, strukturat drejtuese të çdo dege të identifikojnë çdo faktor publik opozitar, të cilët edhe pse nuk janë pjesë e strukturave ekzistuese të degës, me rolin dhe kontributin e tyre shoqëror dhe politik, janë vlerë e shtuar e Partisë Demokratike. Për këtë arsye, strukturat drejtuese identifikojnë, kontaktojnë dhe bëjnë çdo përpjekje për të afruar pas tyre çdo individ me reputacion publik dhe kontribut shoqëror, që me veprimtarinë e tij/saj ka dhënë prova të angazhimit qytetar opozitar,
d) Veçanërisht në situatën pas kthimit të Flamurit dhe Simboleve të Partisë Demokratike në shtëpinë e përbashkët të demokratëve, nuk ka më asnjë pengesë që demokratët e angazhuar politikisht deri dje në struktura paralele, pavarësisht diferencës së opinioneve apo qëndrimeve për çështje të brendshme të familjes sonë demokrate, të inkorporohen në strukturat ekzistuese të degëve tona.