Hetimet për 21 janarin, avokati: Berisha zhduku provat! Ata që e bënë këtë krim shtetëror do përballen me drejtësinë

Avokati Idajet Beqiri ka komentuar hetimet për 21 Janarin, ndërsa audiokaseta me komunikimet ditën e vrasjeve po ekspertohet në laboratorin e SPAK për të zbuluar origjinalitetin e saj dhe më pas verifikimin se kujt i përkasin zërat.

Në emisionin ‘Studio Live’, avokati Beqiri thotë se 21 janari ishte një masakër shtetërore duke lënë të vdekur 4 protestues. Beqiri thotë se edhe më të rëndë këtë ngjarje e bën zhdukja e provave me urdhër të kryeministrit të asaj kohës, Sali Berishës.

“Është hetimi i shekullit, sepse është një vrasje shtetërore, vrasje makabër. Në asnjë lloj pushteti s’ka ndodhur që për të mbajtur pushtetin, jo me mjete demokratike, por me dhunë, si për të justifikuar korrupsionin e lartë dhe për t’i mbyllur gojën një populli ti arrin ta trembësh atë me një masakër shtetërore, duke lënë të vdekur 4 protestues dhe të plagosur rëndë edhe të tjerë në shesh.

Për këto motive është jashtëzakonisht e rëndë për çdo lloj vendi, por edhe më të rëndë e bën fakti që një shtet që i bëri këto vrasje, në mënyrën më barbare, pa respekt ndaj institucioneve dhe principeve që duhet të karakterizojnë një shtet që pretendohet të bëhet pjesë e BE, fsheh provat, zhduk provat dhe krijon alibi të shtirura dhe me dhunë arrin të mbulojë të vërtetën dhe mos të ndëshkojë kriminelët, përkundrazi ata edhe të dekorohen dhe të lëvizin lirshëm”, tha Beqiri në Report Tv.

Një gur sprove e quan hetimin e kësaj çështje, ndërsa thekson se po ecet në rrugën e duhur falë edhe vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Beqiri shprehet se Berisha më në fund do përgjigjet para drejtësisë për këtë krim shtetëror.

“Hetimi i kësaj çështje është gur sprove. Ky hetim do ketë përmasa të mëdha dhe do jetë historik, po ecet në rrugën e duhur falë vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dritës në tunel, Gjykata e Strasburgut.

Ata që e bënë këtë krim shtetëror më në fund të përgjigjen, krimin shtetëror e bën kryeministri i vendit, ministri i brendshëm, presidenti i vendit etj. Këtë krim e bëri Berisha me shpurën e tij, drejtor dhe zv.drejtor me badigardët. SPAK po heton rolin e secilit, kush është bashkëpunëtor, kush ka fshehur krimin apo kush ka shpërdoruar detyrën”, vijoi Beqiri.

Back to top button