Mish, peshk e perime… Turistët erdhën me avion, ushqimet i sollën me traget e kamion
Det, mal, histori e kulturë por edhe për të provuar produktet tradicionale. Janë këto arsyet që nxisin turistët të vizitojnë vende të ndryshme. Në Shqipëri i gjejnë të gjitha, por nëse ndalemi tek ushqimet, ata po konsumojmë produktet e vendit të tyre.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se teksa kemi tentuar të shesim 1 produkt ushqimor në 9 muajt e parë të vitit jashtë vendit, nga ana tjetër rritëm blerjet me 3 herë në të njëjtën periudhë nga këto destinacione. Duke bërë që një pjesë e madhe e ushqimeve dhe pijeve në markete, tregje, bare e restorante të jenë mallra të huajë.
“Turistët po e marrin bukën me vete jo në konceptin klasik. Ata po vijnë me avion dhe ushqimet po vijnë nga vendet e tyre me target e kontejnerë dhe po ushqehen nga ushqimet e vendit tyre. Pa hyrë në aspektin që ky është një fitim i humbur për fermerin shqiptar”, thotë për A2 CNN Gjok Vuksani, ekspert i bujqësisë.
Në 9 muaj Shqipëria arriti të shes 38.5 miliardë lekë ushqime pije e duhan, ndërsa ka blerë nga tregjet e huaja 117 miliardë lekë produkte. Edhe në rastet kur eksportet shqiptare tentonin të ngrinin kokë gjatë periudhave sezonale, ne vijonim të blinim më shumë ushqime nga jashtë vendit.
Por nëse ndalemi tek një tavolinë mesatare gjatë verës në restorante sa arritëm tu ofronim klientëve produktet e origjinës. “Francezi apo gjermani nuk vijnë në Shqipëri për t’u ushqyer me mish nga braizli e Argjentina por nga një mish nga Dibra, Erseka, Kolonja e Mirdita që janë vende tipike. Ne kemi mungesë të madhe të qumështit dhe nënprodukteve. Kemi rritje të importeve të perimeve dhe frutave që është e papranueshme për bujqësinë shqiptar. Ky turizëm që vjen po provon ushqimet shqiptare, po provon ushqimet me vendin e origjinës? Ne kemi tendencë të rritjes së importeve nga Italia, Kina dhe Turqia”, thotë Vuksani për A2 CNN.
Aktualisht vendet partnere në importin e ushqimeve për Shqipërinë janë Italia, Greqia, Kina Serbia, Polonia etj. Ndërsa një pjesë e mirë e ushqimeve vijnë edhe nga Brazili, Afrika e Jugut, Kenia, Vietnami e Tanzania.
Për ofrimin e produkteve 100% shqiptare qeveria po i fokuson strategjitë në vitet në vijim në zhvillimin e bizneseve lokale dhe nxitjen e prodhimit vendas. (A2 Televizion)