Gruaja vrau burrin dhe më pas veten, postimi prekës i motrës së 34-vjeçarit shqiptar: Zgjodhi t’i merrte jetën vëllait
Ngjarja e rëndë në Florida të SHBA, ku gruaja vrau burrin e saj nga Kosova, Pajtim Krasniqi dhe më pas i dha fund jetës ka tronditur mbarë opinionin në zonën ku ata banonin, por edhe në Kosovë.
Motra e Pajtimit, Albana Krasniqi ka prekur me postimin e saj për vëllain e ndjerë. Ajo thotë se Sabrina zgjodhi t’i marrë jetën, duke e qëlluar me pesë plumba.
Ajo shkruan se Sabrina i ka shkatërruar familjen, ndërsa thekson se “ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij”.
“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, ka shkruar motra e viktimës në Facebook.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me pesë plumba në kraharorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Të dua përgjithmonë Pajtim”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 27 nentor në apartamentin e tyre luksoz në Hallandale Beach në Florida.
Nga hetimet rezulton se ka qenë 27-vjeçarja Sabrina, e cila ka qëlluar me armë zjarri bashkëshortin e saj, Pajtim Krasniqi, më pas ajo i ka dhënë fund jetës.
“Nga hetimet është konstatuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar për vdekje disa herë bashkëshortin e saj. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët”, tha policia në një njoftim për media të premten, por nuk dha detaje për arsyet që mund të kenë çuar në këtë krim të dyfishtë.