Marrëdhëniet tregtare/ Turqia partneri i 4 kryesor i Shqipërisë, investimet arritën 1.8 mld euro në shtator 2020! Në fokus industria përpunuese dhe energjia

Deri në fund të shtatorit 2020 investimet nga Turqia arritën në 1.8 miliardë euro. Por lidhjet më të fuqishme mes dy vendeve u ekspozuan  në rindërtimin e vendit dhe mbledhjes disa ditore që vijon mes qeverive, në Turqi.

Por ku qëndron impakti i shtetit turk në ekonominë e Shqipërisë, në punësim dhe investime.

Në fund të vitit 2019, në vend operonin 253 ndërmarrje me pronar turk dhe 132 ndërmarrje me bashkëpronar shqiptar. Pra në total ishin 385 ndërmarrje.

Nga këto, 28.1% në sektorin e industrisë përpunuese, 26.7% në energji elektrike dhe uji, 18.5% në transport dhe komunikacion, më pas renditet ndërtimi me 10.4%, industria nxjerrëse 9.4%, tregti 8.5% dhe në fund është akomodimi dhe restorantet me 4.4%.

Sa i takon vitit që kemi lënë pas, në vlerë monetare Turqia renditet e dyta pas Italisë. Nga janari në nëntor të 2020  kemi importuar nga Turqia mallra me vlerë prej 51.6 miliardë lekë, me një rënie prej 3.2 miliardë lekësh krahasuar me 2019, si pasojë e pandemisë COVID-19.

Dhe nga ana tjetër e medaljes vendi ynë i shiti shtetit turk në vitin e kaluar 2.4 miliardë lekë me një rritje prej 531 milionë lekësh krahasuar me 2019, por përsëri diferenca mes dy shteteve në tregti është tepër e lartë, pasi nga renditja Turqia është në vendin e 10 për eksportet.

Por çfarë i kanë shitur dhe blerë njëra-tjetrës dy shtetet në vitin e kaluar?

Janë mbi 1.6 miliardë lekë importe nga Turqia vetëm tekstile dhe këpucë deri në nëntor 2020, për të vijuar më pas me 888.5 milionë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.  Në vend të tretë produktet kimike dhe plastike me 683.1 milionë lekë dhe materiale ndërtimi dhe metale me 618.9 milionë lekë.

Kurse Shqipëria i ka shitur Turqisë në 11 muaj të vitit 2020, rreth 167.9 milionë lekë materiale ndërtimi dhe metale, e ndjekur nga produktet ushqimore me 56.5 milionë lekë dhe në vend te tretë mineralet dhe lëndët djegëse prej 21.5 milionë lekë.

Duke lënë pas shkëmbimet tregtare, fokusohemi tek investimet. Çfarë peshe zënë investimet turke në vend?

Në 9 muaj të vitit 2020 fluksi i investimeve të huaja direkte ishte 691 milionë euro, nga të cilat 69 milionë euro ishin nga Turqia, që renditet në vend të katërt për nga niveli i tyre. Në vend të parë për 9 muajit e vitit të kaluar është Holanda me fluks 184 milionë euro, Zvicra me 164 milionë euro dhe Italia me 77 milionë euro.

Ndërsa për stokun e investimeve Turqia renditet në vendin e 5 pas Italisë me stok investimesh në fund të shtatorit 2020 rreth 1.8 miliardë euro, ndërsa në vend të parë ishte Zvicra me 4.6 miliardë euro.

, Marrëdhëniet tregtare/ Turqia partneri i 4 kryesor i Shqipërisë, investimet arritën 1.8 mld euro në shtator 2020! Në fokus industria përpunuese dhe energjia

K.T./b.ha./Shqiptarja.com

Back to top button