A ka nevojë për burgje private?! Ja sa të burgosur ka gjithsej në Shqipëri

Ndryshe nga pak vite më parë kur problematikë ishte mbipopullimi i burgjeve, tashmë Shqipëria po përballet me të kundërtën; nënpopullimin e burgjeve.

Kjo evidentohet në një projektligj të depozituar në Kuvend ku evidentohet se “me vënien në funksion të burgut të ri në Shkodër dhe të dy godinave të reja te “Jordan Misja” në Tiranë aktualisht kemi një nënpopullim në institucionet e ekzekutimit të vendimeve.

Ndaj, në këto kushte, projektligji hedh poshtë nevojën e hapjes së burgjeve private, të paktën për momentin. “Ngritja e standardeve në përafrim me standardet evropiane ka bërë të panevojshme deri më tani hapjen e institucioneve private.

Megjithatë, vijimi i mbajtjes së këtij standardi mund të krijojë në të ardhmen nevojën për mbylljen e disa institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, të cilat nuk do të jenë në nivelin e duhur dhe për pasojë krijimin në këtë mënyrë të një mbipopullimi të tyre, gjë e cila mund të sjellë nevojën e hapjes së këtyre institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në të ardhmen”, shkruhet në relacionin e projektligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve.

Sa të burgosur ka Shqipëria?

Referuar relacionit, për periudhën janar-dhjetor 2018 janë trajtuar mesatarisht 5411 të burgosur në të gjitha Institucionet e Veprave Penale, prej të cilëve 3082 të dënuar dhe 2329 të paraburgosur. Mbipopullimi ka qenë mesatarisht 3 për qind.

Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2018 mbipopullimi në IEVP ka shënuar 0 për qind, i cili ka ardhur si rrjedhojë e vënies në funksion të IEVP-së Shkodër.

“Me vënien në funksion të IEVP-së Shkodër, (institucion i inauguruar në datën 1.8.2018 dhe i vënë në funksionim të plotë në datën 5.10.2018) kapaciteti akomodues i sistemit të burgjeve nga 5 455 vende ka shkuar në 6 236.

Në muajin prill 2019 kapacitetet e sistemit të burgjeve janë rritur nga 6236 vende në 6366, si rrjedhojë e vënies në funksion të plotë të dy godinave të reja në IEVP-në “Jordan Misja”.

Në maj të vitit 2019 kapacitetet e burgjeve kanë ndryshuar si rrjedhojë e rikonstruksionit të dy godinave, A dhe B, në IEVP-në Lezhë dhe adaptimin në ambiente spitalore. Pra, këto dy godina nuk do të shërbejnë për trajtimin e të burgosurve, por për personat me masë mjekësore “mjekim i detyruar”. Si rezultat, numri i vendeve të këtyre godinave nuk numërohet në kapacitetin total për personat në statusin e të paraburgosurve apo të dënuarve” shkruhet në relacion.

Aktualisht, kapacitetet totale të sistemit të burgjeve janë 6106 vende. Sipas të dhënave më të fundit numri i të burgosurve është 5 171, prej të cilëve të paraburgosur 2 168 dhe të dënuar 3003.

“Nëse do të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të situatës së institucioneve penitenciare vihet re se ka një përmirësim të dukshëm të kushteve të trajtimit të personave me liri të kufizuar.

Një nga problemet kryesore të sistemit të burgjeve siç është mbipopullimi është eliminuar plotësisht dhe, aktualisht, ndodhemi në kushtet e nënpopullimit të burgjeve, -680 vende, ose -11%” shkruhet në relacion. /scan/

Back to top button