Patozi dhe Topalli, me lista të përbashkëta: Beteja jonë me opozitën e kompromentuar dhe Rilindjen
Dy nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, pas përjashtimit apo largimit nga kjo parti, themeluan secili nga një parti të re dhe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ata kanë vendosur të bashkohen në një koalicion.
Kryetari i “Bindjes Demokratike” ka konfirmuar bashkëpunimin me Jozefina Topallin.
“Ne kemi profile të ndryshme ndoshta, nuanca të ndryshme që edhe na dallojnë nga njëri-tjetri, por kemi një kauzë të përbashkët që është ndryshimi i politikëbërjes në Shqipëri dhe nga ana tjetër kemi interesa elektorale që na bashkojnë, se në rast se garojmë më vete do e kishin më të lehtë partitë e vjetra për të na spostuar apo copëzuar në zgjedhjet e 25 prillit”, – shprehet Patozi.
Patozi tha se urat e komunikimit mes drejtuesve të Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes për Ndryshim janë vendosur, ndërkohë ka edhe një produkt konkret, vendimi për të garuar më një listë të përbashkët.
“Kemi rënë dakord parimisht për një bashkëpunim që i bie listë e përbashkët. Me Jozefina Topallin dhe me këdo tjetër që ju shkon ndërmend që nuk bën pjesë te lista e kundërshtarëve politikë dhe që është i hapur për bashkëpunim”, – shton Patozi.
Ish-partia e tij, PD, më tej do të jetë mes 3 kundërshtarëve të tij politikë.
Patozi thotë se nuk do të bëjë opozitë vetëm me maxhorancën aktuale, por si kundërshtarë do të jenë, “Rilindja e Edi Ramës dhe opozita e kompromentuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit”.
“Ata mendojnë se opozita është lloj prone dhe kushdo që futet u rrëmben diçka nga copa e tyre. Opozita është mision. Mund të thonë çfarë të duan për ne, ne ose do i injorojmë, ose do i kthejmë ndonjë shpullë të lehtë”, – tha Patozi.
Astrit Patozi konfirmon se do garojë vetëm në një zonë elektorale.