Investimet e huaja po rriten me ritme rekord, por 316 kompani të huaja ikën nga Shqipëria në 2022
Investimet e direkte huaja kanë shënuar një tendencë rritëse si në 2022 ashtu dhe në vitin 2023.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë më herët bënë të ditur se në vitin 2022, fluksi i investimeve të huaja ishte 1.37 miliardë euro, me një rritje rekord prej 33% në raport me vitin e mëparshëm. Tendenca zgjeruese vijoi dhe në 2023, por me ritme më të ngadalta. Në 2023 investimet e huaja arritën një tjetër rekord prej gati 1.5 miliardë euro, po rritja ishte më e ngadaltë me 8.7%. Pavarësisht rritjes rekord të investimeve në 2022, numri i ndërmarrjeve të huaja në vend shënoi rënie.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, numri i ndërmarrjeve me 100% kapital të huaj ishte 4934 në vitin 2022, me një rënie prej 6.1%, ose 316 ndërmarrje të mbyllura që janë larguar nga vendi. Pesha e ndërmarrjeve 100% të huaja ndaj totalit ka rënë në 2.4% në 2022, nga 2.9% një vit më pare. Të dhënat më të detajuara tregojnë se numri i kompanive të mbylluara është më i lartë nga Kosova (-37), Greqia (-19), Zvicra (-7) si dhe shtete të tjera, me 438 sipërmarrje më pak, ku përfshihet dhe Mbretëria e Bashkuar, pasi nuk është më pjesë e Bashkimit Europian.
Italia është vendi, që kryeson për numrin e ndërmarrjeve që shtetasit e saj hapin në Shqipëri, me 44% të totalit, me rritje 4% me bazë vjetore, ose 2171 subjekte. Ndërmarrjet nga Italia janë përgjithësisht të vogla dhe në sektorin e shërbimeve dhe fason. Në vend të dytë janë sipërmarjet nga Kosova, me 356, ose 7.2% e totalit.
Numri i tyre ra me gati 10% në 2022. Deri në vitin 2021 investimet e huaja u udhëhoqën nga punime të mëdha si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet e Devollit dhe Ashtës, të cilat tërhoqën dhe kompani të tjera, që ishin nënkontraktore. Në 2022-2023, ati u “zëvendësuan” nga flukset e larta të blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt, të cilat nuk kërkojnë hapje kompanish, që do të sillte dhe hapje të vendeve të punës dhe rritje të vlerës së shtuar në vend.
Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitet e fundit investimet e huaja po udhëhiqen nga Holanda. Kjo tendencë lidhet më shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit. Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë, por edhe sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Sipas INSTAT, në vitin 2022, numri i kompanive me pronësi 100% të huaj nga Holanda arriti në 65, me një rritje prej 22% me bazë vjetore.
Në 2022 u shënua dhe një rritje e lartë të ndërmarrjeve nga Serbia, me 64%, ndonëse numri i tyre mbetet i vogël, në 23 subjekte. Në total, në vend në fund të vitit 2022 kishte 6955 ndërmarrje të huaja e të përbashkëta, 75% e të cilave janë 100% me kapital të huaj. Në raport me një vit më parë totali i ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta ra me 0.7%, si rrjedhojë e tkurrjes së ndërmarrjeve 100% të huaja me 6%, ndërsa ato me kapital të përbashkët u rritën me 19%, duke arritur në 1655.
Ndërmarrjet e huaja në vend
Sipas raporti të INSTAT, në vitin 2022 ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta zënë 3,2% të njësive ligjore aktive që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në vitin 2022 ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Evropian zënë mesatarisht 62,7% të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,3 % të këtyre ndërmarrjeve. Në ekonominë shqiptare, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga Shtetet e Bashkimit Evropian janë mbizotëruese në aktivitetet: Shërbime të tjera (26,2%), Tregti (13,0%) dhe Industri (10,0%). Gjatë vitit 2022, ndërmarrjet nga vendet e BE-së me 1-9 të punësuar mbulojnë 83,8% të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa ndërmarrjet me 250+ të punësuar mbulojnë 1,3%.
Në vitin 2022, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë realizuar 18,9% të punësimit gjithsej dhe 19,8% të shitjeve neto. Vendet e BE-së përfaqësojnë pjesën më të madhe të punësimit në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta. Në vitin 2022 këto vende kanë zënë 73,9% të punësimit gjithsej. Përqindja më e lartë e të punësuarve në ndërmarrjet me pronësi të huaj dhe të përbashkët për vitin 2022 është në sektorin e Industrisë përpunuese me 35,5%.
Për treguesin e shitjeve përqindja më e lartë e ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët për vitin 2022 është në sektorin e Tregtisë me 26,7%. Në sektorin e Industrisë nxjerrëse, pjesa më e madhe e shitjeve neto realizohet nga ndërmarrjet e zotëruara nga grupi i Shteteve të tjera (91,5%) ku Kina është vendi dominues me 77,1%. Në sektorët e tjerë, pjesa më e madhe e shitjeve neto u realizua nga vendet e BE-së; Industri përpunuese (53,5%), Energji Elektrike & Ujë (70,7%), Ndërtim (60,3%), Tregti (52,6%), Akomodim & Restorante (44,4%), Transport & Komunikacion (62,0%) dhe Shërbime të tjera (75,9%).
Në grupin e vendeve të BE-së, Italia dominon në sektorin e Industrisë përpunuese (32,8%), Ndërtim (27,5%), Tregti (21,9%), Shërbimet të tjera (36,5%)./ Revista “Monitor”