“Nuk ka Republikë nëse nuk respektohen dëshmorët dhe brezat që ngritën Shqipërinë”

Nga Ndue Preng Gjeta

Çfarë shteti kemi, Republikë apo Monarki? Nuk mund të qëndrojë me dinjitet në këmbë një republikë, nëse nuk respekton brezat e vjetër që sakrifikuan për ta bërë Shqipërinë, kur nuk respekton heronjtë e dëshmorët e kombit, dhe në vend të tyre nderon e rehabiliton tradhëtarët, kur nuk ke respekt për vlerat e krijuara prej ketij brezi për 50 vite me radhë, që nihilistët e sotëm nuk i zënë fare në gojë, por hedhin baltë mbi to dhe injorojnë atë brez historik që e ngritën Shqipërinë mbi supe…

 

Duke parë qeverisjet e papërgjegjshme, qofshin këto të djathta apo të quajtur të majta, vetvetiu të lind pyetja se çfarë shteti po ndërtojmë në Shqipëri, Republikë apo Monarki, sepse të ngjanë se kemi një formë të ndërmjetme në mes Republikës dhe Monarkive të vogla të shekullit XVIII.  Në Shqipëri sot kemi një oligarki politike e financiare plotësisht të lirë, jashtë kontrollit të shtetit e të ligjit, ndërsa populli i thjeshtë është i nënshtruar, gati njëlloj si në rendin feudal ku ligjin e bënin bejlerët dhe agallarët, ku sundonte monarkia me kapitalistët dhe latifondistët e saj.

Në Shqipëri sot kemi një të ashtuquajtur demokraci totalitare, e zbatuar në mënyrë monarkiste. Populli nuk ka asgjë në dorë përveç votës të cilën e hedh një herë në katër vjet dhe çdo gjë ndodhet në duart e një grupi të caktuar njerëzish. Ata kanë në dorë mjetet e prodhimit, ata bëjnë ligjet e ata zotërojnë edhe pasurinë, ndërsa shumica e popullit mashtrohet e nëpërkëmbet nga “mbretërit dhe princërit” e vegjël.

Qeveritë që kanë ardhur njëra pas tjetrës në Shqipëri, si ajo që drejtohej nga babai i krimit dhe kaosit, naziskini Sali Berisha, si ajo që drejtohet sot nga arrivisti dhe populisti Edi Rama, u mungon thelbi i qeverisjes, u mungojnë parimet, idealet, kultura dhe aftësia për të menaxhuar institucionet qeverisëse të shtetit, por mbi të gjitha u mungon përgjegjësia dhe përkushtimi për ti shërbyer vendit dhe popullit të vet.

Ajo që i bashkon  politikanët tanë është etja për prona e pasuri, është vetëkënaqësia e mburrja se i dinë të gjitha, se ata që duhet ta thonë fjalën e fundit për gjithçka, por është edhe populizmi ekstrem për t’u mbushur mendjen njerëzve se po bëjnë mrekullira. Në fakt realiteti flet krejt ndryshe.  Krimi, mafia, korrupsioni, varfëria e pabarazia, droga, trafikimi i qënieve njerëzore, etjer, etjer, tregon qartë se klasa politike në Shqipëri ka dështuar.  Ajo ka aftësi vetëm për t’u vetëpasuruar përmes pushtetit e politikës dhe paaftësi olimpike për të qeverisur dhe për ta çuar vendin përpara.

Aftësia për të mashtruar qytetarët është shumë e madhe.  Për të na hedhur hi syve, në mandatin e parë, kryetari i “Rilindjes” Edi Rama, u ankua se e kishte timonin me dy shoferë, ndërsa në mandatin e dytë ju lut popullit që ta kishte vetëm ai timonin edhe tepsinë e pushtetit, dhe e mori i vetëm timonin, përgjegjësi e madhe, sfidë e jashtëzakonshme, barrë e rëndë për populistin e Partisë Socialiste pasi vërtetë mund ta kesh timonin, por kur nuk din ta ngasësh  makinën ajo të hedh në greminë.

Duke patur gjithnjë në krye ekipe eksperimental jo profesionistësh, timonieri i qeverisë përpiqet ti bëjë të gjitha vetë duke mos pyetur as për partinë e as për deputetët e për ministrat.  Kjo ka bërë që qeveritarët qëndrorë e lokalë të turren si kafshë për tu pasuruar, kuptohet kjo në dëm të qeverisjes, bile sa më shpejt se nesër nuk i dihet.  Në këtë klimë aristokracia korruptohet, pushteti bëhet arbitrar, ministrat e deputetët kthehen në bejlerë të rinj, dhe u pëlqen akoma më shumë forma monarkiste e të qeverisurit, duke mos u ngelur asnjë lloj virtyti, as atyre që qeverisin dhe as atyre që qeverisen prej tyre.

Sot në Shqipëri korrupsioni është ngritur në sistem dhe në mandatin e tretë gati gjysma e ministrave janë nën hetim për korrupsion.

Nuk ka krim më të madh për një politikan e pushtetar, që pasi korrupton veten korrupton edhe të tjerët duke shkatërruar kështu vlerat e shoqërisë, dinjitetin dhe virtytet e brezave që kanë sakrifikuar për këtë vend. Nuk mund të qëndrojë me dinjitet në këmbë një republikë , nëse nuk respekton brezat e vjetër që sakrifikuan për ta bërë Shqipërinë, kur nuk respekton heronjtë e dëshmorët e kombit, dhe në vend të tyre nderon e rehabiliton tradhëtarët, kur nuk ke respekt për vlerat e krijuara prej ketij brezi për 50 vite me radhë, që nihilistët e sotëm nuk i zënë fare në gojë, por hedhin baltë mbi to dhe injorojnë atë brez historik që e ngritën Shqipërinë mbi supe.

Jo, kjo nuk mund të quhet një republikë dhe një shtet modern sot në shekullin e 21-të, kur gjysma e popullsisë, ajo që banon në fshat, qeveriset me kryepleq si në mesjetë, e denjë për monarkinë e rendit feudal në mos më herët akoma, në kohën e Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Mosrespektimi i një shtrese të pambrojtur të shoqërisë siq janë veteranët dhe pensionistët, që jetojnë me një pension diskriminues, dhe qeveria e Republikës tonë tallet me ta kur “ju rrit” pensionet 2 apo 3 përqind ndërsa mijëra familje të tjera jetojnë ose mbijetojnë me një ndihmë ekonomike që nuk mjafton as për të blerë ilaqet e për të paguar energjinë elektrike.  Kjo varfëri ekstreme të mbi 60 % të popullsisë së vendit, por dhe krijimi i një klase super të pasur po e çon Republikën “Demokratike” në demagogji.

Demagogjia nuk është gjë tjetër veçse mashtrim i popullit duke e joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme, për ti bërë njerëzit për vete, për qëllime të caktuara politike.  Qëndrimi i politikanëve me dy faqe, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, kanë për qëllim shtrembërimin e të vertetës për gjendjen ku ndodhemi, por edhe të mbulojnë paaftësinë dhe korrupsionin e tyre .

A nuk është demagog Kryeministri Edi Rama që kur e ndigjon të flasë me atë shqipen e bukur dhe batutat që përdor, të ngjall shpresë, por me veprimet dhe sjelljet e tij herë majtas e herë djathtas të hedh në dëshpërim.  E vërteta është se atij i mungojnë idealet dhe nuk është aspak i majtë, se për socialist as që nuk bëhet fjalë.  Politikat që ndjek qeveria e “Rilindjes” nuk janë aspak sociale dhe nuk i mbrojnë shtresat e varfra të shoqërisë, bile tregon edhe njëfarë neveritje ndaj tyre.

Urrejtjen e tij ndaj veteranëve dhe komunistëve Edi Rama e ka shprehur që në vitin 90, kur bërtiste në mitingjet fashiste të Partisë Demokratike “Komunistët në litar, veteranët në hanxhar” edhe pse ka patur edhe të atin një kuadër të nderuar të pushtetit popullor, dhe dajën e tij Spiro Koleka, një komunist të devotshëm dhe anëtar të ish Byrosë Politike të P.P.SH.

Qëndrimi radikal i kryetarit, as i majtë e as i djathtë i Partisë Socialiste ndaj luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, ndaj heronjve e dëshmorëve që bën sikur i nderon sa herë që ka fushata zgjedhore, urrejtja patologjike ndaj Enver Hoxhës dhe epokës së tij, dhe rehabilitimi i bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, ndalimin me policë të veteranëve e komunistëve për tu “takuar” me komandantin e tyre në varrezat e dëshmorëve, propozimi për tu hequr dekoratat luftëtarëve, të dhëna nga regjimi komunist, ngritja e Bunkerartit 2 në mes të Tiranës duke vendosur në qëndër të tij turli krimineli e bashkëpunëtori të pushtuesve, e deri tek propozimi për ti hequr Enver Hoxhës titullin e partizanit, e plotë të tjera, janë veprime të pastra naziste që do ti kishte zili edhe hitleri.

Kjo tregon qartë se Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama i cili vepron “përtej të majtës e përtej të djathtës”, jo vetëm që nuk e mbron luftën Nacional Çlirimtare, por e urren atë për vdekje.  Kjo urrejtje patologjike ndaj saj duket qartë në qëndrimin që po mbahet ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesve, nga  të dyja krahët e politikës, ku nuk ka mbetur kriminel e diversant pa u dekoruar, ndërkohë që gjithë bota përparimtare, edhe sot e kësaj dite i quan tradhëtarë bashkëpunëtorët e pushtuesve dhe as u shkon në mendje t’u ngrenë buste e monumente, siq ndodh rëndomë këtu në Shqipëri.

Nuk ishte rastësi as ceremonia pompoze zyrtare që kryeministri dhe qeveria socialiste i bëri ish kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri.  Kjo ishte një taktikë djallëzore makjaveliste që nuk i han meraku për Mit’hatin, por që kanë të tjera synime.  Ai synon që të rehabilitojë organizatën kolaboracioniste të Ballit Kombëtar dhe këtë don të ja arrijë duke e quajtur Mit’hat Frashërin një patriot dhe atdhetar të madh.  Siq duket Edi Rama është frymëzuar nga Uran Butka dhe libri i tij dhe nuk e din se Mit’hat Frashëri ka tradhëtuar edhe Ismail Qemalin me qeverinë e tij duke u bashkuar me tradhëtarin Esat Pashë Toptanin.

Nuk e din ai se Mit’hat Frashëri edhe pas çlirimit ka tentuar të përmbysë pushtetin popullor dhe të bëjnë një qeveri të përbashkët me Grekët.  Nuk e din gjithashtu Edi Rama se Mit’hat Frashëri ka bashkëpunuar me Serbët kundër interesave të Shqipërisë duke e vulosur veten si tradhëtar të Shqipërisë, pale të ja lexojë librat e tij Edi Rama.  Synimi tjetër i tij është të zhbëjë sa të jetë e mundur dhe të ulë vlerat e luftës Nacional Çlirimtare e sidomos të udhëheqësit të kësaj lufte, Enver Hoxhës dhe shokëve të tij, bile duke folur për “patriotizmin” e Mit’hatit, ai kërcënoi mbështetësit e kësaj lufte që të “rrinë urtë e të ulin kokën”.

Po ka edhe një synim tjetër, ai pasi ka shtirë në dorë elektoratin e majtë dhe pasi ka depersonalizuar Partinë Socialiste sipas teorisë laburiste “as majtas, e as djathtas” synon të kapë edhe të djathtën duke i rehabilituar nga krimet e paraardhësve të tyre dhe duke i shpërblyer edhe pasardhësit e tyre që s’kishin lindur në atë kohë, duke u thënë hapur atyre që e kanë mbështetur tash 30 vjet – “Faleminderit për mbështetjen tuaj, tani s’kemi më nevojë për ju”, duke e konsoliduar pushtetin e tij si një diktator i vërtetë, por i veshur me kostumin e një libreali të neveritshëm.  Këtij synimi i shërbejnë edhe zelli i tepruar i koncesioneve, partneriteti publik privat (PPP) të rrugëve e autostradave, siq bënte dikur Hitleri, apo rilindja e qendrave urbane siq bënte Musolini në kohën e tij, pale se përtej tyre ka një varfëri ekstreme dhe Shqipërinë po e mbysin plehrat.

Vlerësimi i figurave të errëta të historisë ka filluar me qeverisjen e djathtë të Sali Berishës dhe po e vazhdon me shumë zell qeverisja “e majtë” e Edi Ramës.  Në 100 vjetorin e pavarësisë u fol më shumë për mbretin famëkeq Ahmet Zogu sesa për Ismail Qemalin.  E quajtën mbretin një figurë të madhe kombëtare, madje i vendosën edhe një shtatore në rrugën kryesore të Tiranës, sikur donte ti bënte hije edhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të veshur ushtarak.  Për më tepër i vendosën edhe një shpatë në brez, që nuk e nxori asnjëherë nga mielli kur duhet ta nxirrte, kur Shqipërinë e shkeli qizmja e fashizmit.  Ndërsa kryetarit të parë të shtetit Shqiptar, Ismail Qemalit, i vendosën një bust që nxorën nga muzeumi, në mes të pemëve, sikur po u bënte roje memorialit të të përndjekurve politik, që ndodhet aty afër.  Të njëjtën gjë bëri edhe Edi Rama me kryeballistin Mit’hat Frashëri i cili përpara një grushti neoballistësh foli për të bërat e të pabërat e Mit’hat-it, gjatë e pas luftës.

E tha qartë kryetari i sotëm i ballit, Adriatik Alimadhi, se “ju doni plumbin ballit, dhe plumbin e parë jua dha Edi Rama”.  Këtu nuk bëhet fjalë për një person, por për të gjithë ata që e mbështesin luftën Nacional Çlirimtare, luftë e cila nxori zbathur Ballin Kombëtar.  Harron neoballisti se i kemi matur forcat që para 80 vitesh, dhe nuk mundi të na e jepte plumbin një Mit’hat i madh, e jo më të na e japë një Adriatik i vogël, si ky neoballisti i sotëm.  Nuk bëhet fjalë për të përdorur plumba apo për ti hapur luftë njëri-tjetrit, siq kapardiset si gjeli në grumbullin e plehut Partia e sotme e Ballit Kombëtar, dhe as për të ulur kokën fitimtarët e luftës, siq na këshillon Edi Rama, por për të mbyllur një luftë klasash të re dhe për të qëndruar sejcila palë në vendin që e ka vendosur me kohë historia.  Bukur e thotë në vargjet e tij Arben Duka “u ngritën plehrat nga fundi i tokës, dhe kërcënojnë me plumbin kokës, 70 vite i kish zënë flama, po morën zemër nga Edi Rama”.

Nuk kanë vlerë vetëm ato që thuhen, por edhe ato që fshihen, por në qoftë se thuhen të bëra e të pa bëra për Mit’hat-in, përse nuk flitet edhe për rolin historik të Enver Hoxhës, në udhëheqjen dhe fitoren e Luftës Nacional Çlirimtare, por vetëm hidhet baltë e nxihet një epokë e tërë 50 vjeçare nën udhëheqjen e tij. Një paradoks i quditshëm, nderohet ai që bashkëpunoi me fashistët, që i quante gjermanët miq dhe partizanët me popullin që i mbështeste i quante armiq, dhe mohohet Enver Hoxha i cili luftoi 5 vite me radhë kundër pushtuesve.  Paska më shumë vlerë, sipas Edi Ramës, ai që edhe jashtë vendit mblodhi gjithë llumërat e kolaboracionizmit për të prmbysur me dhunë pushtetin popullor të dalë nga pushka partizane, sesa Enver Hoxha që e nxori Shqipërinë nga mbeturinat e rendit fisnor feudal dhe krijoi Republikën e Re Popullore duke e renditur Shqipërinë me dinjitet në vendet e përparuara të botës, dhe kjo nuk është nostalgji, por realitet.

Vlerësimi i historisë nuk është çeshtje dëshirash e pasionesh.  Historia është një katalog faktesh, ndodhish, realitetesh e dokumentash që nuk munden dot të ndryshohen për interesa politike.  Në histori nuk mund të thuhet edhe kështu edhe ashtu, nuk mund të thuhet se po të isha unë do veproja kështu e ashtu, nuk mund të abstragosh nga konteksti politik i kohës, nga rrethanat e situatat që krijohen në kohë e hapësirë.  Normale do të ishte që pasardhësit e ballistëve të reflektonin në gabimet e tyre, e jo të orvaten të ndërrojnë vendet edhe sot midis partizanëve e fashistëve, midis Mit’hatit  dhe Enverit, sepse sado të kesh dëshirë dhe mllefe, është e pamundur ta bësh këtë.

Çdo brez, qoftë politik, qoftë ideologjik, ka çfarë të korigjojë nga brezat e mëparshëm.  Ëshët shumë kuptimplotë qëndrimi i ish ambasadorit gjerman në Shqipëri i cili kërkoi të falur për krimet që kishte kryer i ati gjatë luftës në Borovë.  Këtyrë duhet tu thoshte kryeministri që të ulin kokën, dhe jo atyre që bënë luftën.  Kjo që bëri Edi Rama është një përpjekje për të shkatërruar historinë në interes të kolaboracionizmit, pse jo edhe një nxitje tinzare për një luftë të re klasash dhe për një grusht votash që do marrë nga neoballistët e sotëm.  Mit’hat Frashëri thotë në fjalimin e tij “të përmotshëm”, Kryeministri i Republikës tonë, vërtetë gaboi që bashkëpunoi me nazistët, por nuk kreu krime, miopi politike e intelektuale të thuash kështu.  Sipas tij nuk qenka krim të bashkëpunosh me pushtuesit që po masakrojnë popullin tënd, po edhe vetë ballistët e Mit’hatit kanë kryer krime me dorën e tyre dhe këto i dinë të gjithë, përveç kryeministrit tonë.  Sipas tij nuk qenka krim të krijosh qeveri kuislinge në shërbim të nazifashizmit dhe nuk qënka po ashtu krim të mbështesësh dy diktaturat  më të egra, fashizmin italian dhe nazizmin gjerman, të njohura të tilla si në planin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar.  Jo zoti Kryeministër!  Kolaboracionizmi nuk është gabim, siq thoni ju, po faj, dhe faji dënohet në të gjithë botën.  Të thuash se Mit’hat Frashëri nuk ka bërë krime është mashtrim.  Ai ka pranuar që forcat e tij kanë bashkëpunuar me pushtuesit dhe janë bërë pjesë e qeverive kuislinge, pjesë të spiunëve, arrestimeve e vrasjeve, pjesë e formacioneve luftarake të pushtuesve, kundër shqiptarëve, që do të thotë se Mit’hat Frashëri ka urdhëruar përgjakjen e popullit, dhe është krim i tij, zoti Rama, dhe jo gabim i tij, siq thoni ju.

Është një fakt i njohur se kolaboracionizmi nuk është një fenomen shqiptar, por botëror dhe ka ekzistuar në të gjithë botën, si në shtetet komuniste ashtu edhe në ato kapitaliste.  De Goli nuk ishte komunist, po janë gjykuar e dënuar  rreth 100 mijë kolaboracionistë dhe nuk janë rehabilituar deri më sot nga asnjë qeveri e majtë apo e djathtë, e kështu me radhë Austria, Belgjika, vendet nordike, etjer.  Britania ka shqyrtuar mbi 2 milionë raste të bashkëpunimit me nazistët, në Belgjikë janë hapur 630 mijë çeshtje penale, në Hollandë 200 mijë, etjer, etjer.  Fan Noli nuk ishte komunist, por një demokrat i madh, historian dhe intelektual brilant, por lidhur me Ballin dhe me gazetën e tij “Dielli”, me 26 Mars 1947 thoshte se “Ballistët tanë kanë vdekur moralisht.  Ata, duke bashkëpunuar me fashistët italian dhe nazistët gjermanë vranë veten, por me të vranë edhe Shqipërinë, të cilën e nxinë para botës si pro Italjanë e pro Gjermanë, dhe si e tillë Shqipëria padyshim do të ishte copëtuar.  Deshi përëndia dhe dolën partizanët, me në krye Enver Hoxhën, dhe jo vetëm e nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por e vunë në radhët e të gjallëve, pranë shteteve aleate.  S’ka shqiptar me pesë pare mend në kokë që të përkrahë ballistët, të cilët e quan Shqipërinë buzë varrit.  Vendi i Ballit Kombëtar është në varrezat e fashizmit.”, përfundon konkluzionet e tij, për ballin, Fan Noli.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili vepron si monark, duhet të shkëputet nga populizmi që e manifeston me neveri, nga demagogjia me popullin dhe hipokrizia me partinë socialiste.  Ai jo vetëm e vodhi këtë parti pa asnjë lloj ideali dhe merite, por e zhveshi atë plotësisht nga ideali dhe ideologjia e majtë, e ktheu kahjen e partisë plotësisht nga e djathta, duke braktisur programin me të cilin ka ardhur në pushtet, duke u larguar nga shtresat e varfra e të mesme të shoqërisë, shtresa të cilat Partia Socialiste mendonte se i mbronte.  Me emërtimin “Qeveria e Rilindjes” dhe me teorinë “përtej të majtës e përtej të djathtës” Edi Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në një organizatë eklektike, sipas përvojës së laboristëve anglezë të Toni Blerit në Angli.

Nuk mund të thuash asnjë fjalë për republikën, kur qeverisja i ngjan monarkisë, kur nuk njeh popullin dhe shpirtin e tij, kur nuk njeh hallet dhe historinë e tij, dhe kur pushtetarët e kësaj republike kanë vënë para e pasuri në mënyrë marramendëse dhe sillen ndaj popullit jo si shëqrbëtorët e tij, por si bajraktar, si bejler e sheikë të rinjë dhe nuk duan të ja dinë fare për hallet e popullit.  Bëhet shumë zhurmë se po kryhen reforma të thella, po çdo qeveri me të ardhur në pushtet prish ato që ka bërë qeveria e mëparshme dhe vazhdon me mashtrimin e të bërit të reformave të reja.  Po çkuptim kanë reformat kur mendon se vetëm në gjykatën e lartë sot ndodhen stok 30 mijë dosje të pagjykuara dhe që janë 20 mijë analfabetë funkksional në sektorin e arsimit?  Për ç’reforma mund të flitet kur sot në Shqipëri kemi 200 mijë të rinjë që as nuk punojnë dhe as nuk shkojnë në shkollë, kur kemi mbi 100 mijë të droguar, mbi 20 mijë të burgosur dhe mbi 80 % e pasurive janë vënë me korrupsion e me vjedhje, etjer, etjer.  Këtu reforma do të kishte kuptim vetëm po të fillosh nga e para, dhe kur pjesa më e madhe e gjyqtarëve e prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit të përfundonin në burg, gjë e cila do të qonte në shkërmoqjen e gjithë republikës tonë “demokratike”.

Gjunjëzimi para të huajve është një tipar i neveritshëm i Republikës së Shqipërisë, duke ja kaluar edhe monarkisë, dhe kjo është provuar disa herë.  Neofashistët grekë herë pas here provokojnë duke hyrë në territorin tonë, vrasin e plaçkisin dhe largohen kur të duan, pa u hyrë gjemb në këmbë, siq ka ndodhur në vitin 1994, në postën kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër.  Vijnë e bëjnë fushatë elektorale politikanë grekë, bëjnë thirrje raciste anti Shqiptare, siq ndodhi edhe në Bularat, shkojnë e takojnë në burg hajdutin e votave Fredi Belerin etjer, por republika jonë hesht si e vdekur dhe gjunjëzohemi para tyre nga frika se Greqia nuk do na mbështesë për hapjen e negociatave për në B.E.  kjo gjë nuk ndodhte në kohën e pushtetit popullor të Enver Hoxhës, sepse ai jua vinte kufirin te thana kujtdo që prekte integritetin e vendit, dhe nuk lejonte që Shqipëria të bëhej han pa porta, siq është bërë sot në sistemin e kapitalizmit.

Këto që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve të tranzicionit kapitalist, gjallërimi i tërë fenomeneve të këqia të kësaj bote, të bën të mendosh sikur në Shqipëri nuk ka patur fare shtet, por shqiptarët janë qeverisur nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Bile Kanuni nuk vepronte kështu pasi ai ti fuste të dyja këmbët në një këpucë.  Të bën të mendosh gjithashtu se, pas vitit 1990, nuk kemi patur as Republikë e as Monarki, por diçka të ndërmjetme mes tyre.  Shtetin e bëjnë burrat e shtetit, ata që nuk mendojnë për kolltuqet e tyre dhe për zgjedhjet e radhës, që nuk mendojnë për t’u pasuruar vetë me një grup të ngushtë njerëzish pranë tyre, por që mendojnë të ardhmen e vendit dhe për rritjen e mirëqënies së përgjithshme të shoqërisë. Vetëm ky është mision i një Republike dhe i një Qeverisjeje bashkëkohore.

Botuar në rubrikën Letër Kryeredaktorit

Back to top button