Albin Kurti po sulmon mediat? Opozita dhe aktivistët të alarmuar pas raportit për lirinë e shtypit

Rënia me 19 vende e Kosovës në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa kufij, po konsiderohet shqetësuese dhe alarmante për mediat në vend. Në raportin vjetor, ku Kosova renditet e 75 nga 180 vende, thuhet se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha denoncon se kushto që nuk pajtohet me politikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Qeverisë që ai drejton, “rrezikon të njolloset dhe të diskreditohet online”.

Duke përmendur sulmet ndaj gazetarëve, ai i kërkoi qeverisë të veprojë.

“Duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në format e ndryshme në këtë dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Qeverinë e Kosovës. Siguria e gazetarëve sigurisht ka qenë një shqetësim vitin e kaluar, ka vazhduar të jetë edhe këtë vit. Ne kemi marrë vitin e kaluar 30 sulme brenda 5 jave në veriun e Kosovës duke përfshirë sulme fizike, dëmtimin të pronave dhe mjeteve të punës së gazetarëve, duke cenuar integritetit fizik të gazetarëve si asnjëherë më parë”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se raporti i Reporterëve pa Kufij nuk duhet të jetë dekurajues, pasi argumenton se nuk ka qenë vit i lehtë, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sakaq, partitë opozitare kanë kritikuar ashpër pushtetin për sulm të mediave. Kreu PDK MemliKrasniqi, tha se “presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh e shqetësuar për gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij, ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se mbrojtja e gazetarëve dhe mediave të lira është ndër “parimet e panegociueshme” dhe detyrë e institucioneve dhe shoqërisë. Sakaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu mbështetjen për gazetarët dhe për mbrojtjen e të drejtës së tyre për të raportuar pa frikë e pa censurë, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Back to top button