Luftë për të pushtuar hapësirën, Kina lëshon sondë për të eksploruar pjesën e errët të Hënës, NASA e shqetësuar

Kina ka lëshuar ditën e sotme një sondë pa ekuipazh, që ka për qëllim të arrijë në pjesën e errët të Hënës, të padukshme nga Toka.

Misioni i saj është të arrijë në këtë pjesë të Hënës dhe të mbledhë monstra, që do t’u shërbejnë shkencëtarëve për të hedhur dritë mbi mënyrën se si u formua sistemi diellor dhe vetë evolucionin e Hënës.

Një raketë pa pilot që mbante sondën e emërtuar Chang’e-6, në simbol të përëndeshës së hënës në mitologjinë kineze, u nis nga qendra e nisjes hapësinore Wenchang rreth orës 17:27 me kohën lokale. Sonda pritet të ulet në pellgun e Polit të Jugut-Aitken, i cili është rreth 2,500 km i gjerë dhe deri në 8 km i thellë.

Sipas shkencëtarëve, kjo do të jetë hera e parë që një sondë do të marrë copëza nga ana e errët e hënës, siç është cilësuar nga studiuesit pasi është e padukshme nga Toka.

Pas uljes në hapësirën e përcaktuar hënore, ajo do të mbledhë shkëmbinj hënor për të kryer eksperimente. Ky mision do të zgjasë 53 ditë, ndërsa sonda synon të sjellë rreth 2 kg mostra hënore në Tokë për analizë të detajuar nga shkencëtarët.

Shkencëtarët thonë se kjo anë e hënës ka një kore më të trashë, dhe kjo mund të bëjë të mundur mbledhjen e materialit të duhur për të zhvilluar studime më të zgjeruara, përsa i përket formimit të sistemit diellor dhe vetë evolucionit të Hënës.

Chang’e-6 synon të arrijë përparime në teknologjinë e projektimit dhe kontrollit të orbitës retrogradë të hënës, marrjes së mostrave inteligjente, teknologjive të ngritjes dhe ngjitjes dhe kthimit automatik të mostrës në anën e largët të hënës,”-tha  Ge Ping, Zëvendësdrejtori i Qendrës së Eksplorimit Hënor dhe Inxhinierisë Hapësinore të Administratës Kombëtare të Hapësirës së Kinës (CNSA).

Për Kinën, kjo është cilësuar si një arritje në programin ambicioz hapësinor. Sonda Chang’e-6 do të jetë një test kyç për aftësitë hapësinore të Kinës në përpjekjet e saj për të realizuar “ëndrrën e përjetshme” të liderit Xi Jinping për ta kthyer vendin në një fuqi hapësinore.

Kina ka bërë përparime të shpejta në hapësirë ​​vitet e fundit, në një fushë të udhëhequr tradicionalisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Avancimet e shpejta të Kinës në këtë fushë, nuk po shihen në një këndvështrim pozitiv nga agjencia hapësinore e SHBA-së, NASA, pasi sipas saj qëllimet e Kinës janë ndryshe nga ato që trumbetohen.

Administratori i NASA-s Bill Nelson ka pranuar se ritmi i Kinës dhe shqetësimet rreth synimeve të saj po nxisnin urgjencën amerikane për t’u kthyer në Hënë, dekada pas misioneve të saj të ekuipazhit Apollo. Sipas Nelson, SHBA dhe Kina po zhvillojnë në të vërtetë një garë, pasi programet kineze të ashtëquajtura hapësinore, janë në të vërtetë një program ushtarak që kanë si synim pushtimin e hapësirës hënore.

Ne besojmë se shumë nga të ashtuquajturat programe të tyre hapësinore civile janë një program ushtarak. Unë mendoj se në fakt ne jemi në një garë”,- tha administratori i NASA-s Bill Nelson.

Muajin e kaluar, Nelson u tha ligjvënësve se Kina mund të përpiqet që të ndalojë SHBA-në ose vendet e tjera nga zona të caktuara hënore, nëse ata mbërrijnë atje fillimisht.

Ndërkohë në kahun tjetër, Kina duket se i ka mohuar këto pretendime, pasi ka deklaruar se qëndron për përdorimin paqësor të hapësirës dhe, ashtu si SHBA, ka kërkuar të përdorë aftësitë e saj hapësinore për të kultivuar vullnetin e mirë ndërkombëtar.

Këtë herë, Kina ka thënë se misioni Chang’e-6 mbart instrumente shkencore ose ngarkesa nga Franca, Italia, Pakistani dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Kina shpreson të forcojë bashkëpunimin me homologët e saj ndërkombëtarë dhe të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e hapësirës,”- u tha gazetarëve Ge i CNSA një ditë përpara nisjes.

Back to top button