Prapaskenat e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, zbardhet debati në zyrën e Enver Hoxhës! Ramiz Alia: Edhe Fiqiret Shehu duhej pushkatuar

Reagimin e parë për vendimet e gjyqit të Kadri Hazbiut, ish-ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, Enver Hoxha, që e ka ndjekur atë drejtpërdrejt nga monitori i instaluar enkas në zyrën e tij, e ka konsumuar në takimin me bashkëpunëtorët më të afërt në zyrën e vet. Vetëm pak minuta pas mbylljes së procesit të pazakontë, kreu i regjimit e ka parë të arsyeshme të konsultohet me ta për mënyrën si do t’i servirej popullit procesi famëkeq i zhvilluar me dyer të mbyllura.

Gjykata e Lartë, pas një maratone seancash, më në fund kishte shprehur verdiktin e saj që dënonte me vdekje Kadri Hazbiun, Feçor Shehun dhe Llambi Peçinin, duke i dhënë kështu “legjitimitet” ndëshkimit të paravendosur nga forumet më të larta të Partisë. Tashmë ishte radha e këtyre të fundit të sqaronin opinionin për rrezikshmërinë e lartë që paraqiste për fatet e popullit dhe regjimit vepra agjenturore e grupit armiqësor.

Që në krye të herës, Hoxha i ka njohur të pranishmit me vendimet e nënshkruara nga Aranit Çela dhe ka kërkuar vëmendjen e tyre për të diskutuar rreth procedurave si do të operohej më tej nga Partia dhe levat e saj për të informuar masat mbi procesin e zhvilluar me dyer të mbyllura. I pari është çuar Foto Çami dhe ka propozuar përgatitjen e një komunikate për rezultatet e gjyqit nga Gjykata e Lartë. Aty për aty, Hoxha ka rënë dakord dhe ka treguar rregullin e procedurës: Komunikata të dëgjohet një herë në KQ, pastaj t’i shkojë Partisë.

“Ne, ka saktësuar ai, duhet të informojmë më parë Plenumin, që të marrë ky dijeni si u zhvilluan gjyqet, si i pohuan fajet armiqtë, të përmenden disa nga faktet më të rëndësishme dhe dënimet që u dhanë, pastaj informacioni të dërgohet poshtë, natyrisht vetëm për t’u lexuar, pa bërë komente”. Sakaq, Ramiz Alia, duke u fokusuar te gjyqi tjetër i zhvilluar me të njëjtën përmbajtje, por me dyer të hapura, rreket të sjellë perceptimin e opinionit mbi vendimet e tij. “Populli ka shprehur pakënaqësi për dënimet që u dhanë për Fiqret Shehun dhe Nesti Nasen, shprehet ai, nuk donin që këta të ndaheshin nga të tjerët, se gjyqi vendosi me vdekje vetëm për Llambi Ziçishtin, kurse dy të tjerëve u dha nga 25 vjet…”.

Në debat e sipër pastaj Hekuran Isai propozon që nga regjistrimet filmike të proceseve gjyqësore të zgjidhen pjesët më të rëndësishme dhe të transmetohen nga televizioni shtetëror. Kjo për një moment duket ide interesante, por në gjykimin e Hoxhës shfaqet delikate dhe me risk të diskutueshëm. “Asgjë nga këto për popullin, vendos kreu i Partisë, të operojmë si në rastin e Beqir Ballukut, vetëm me komunikatën e Aranit Çelës”. A.Imaj

DOKUMENTI

ENVER HOXHA: Besoj se e morët vesh që gjyqi kundër bandës së komplotistëve, puçistëve e terroristëve të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, me pjesëtarë Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Fiqret Shehun, përfundoi me sukses.

FOTO ÇAMI: E morëm vesh, shoku Enver, por siç biseduam edhe me shokun Ramiz, ndoshta ka nevojë t’i bëhet ndonjë sqarim Partisë dhe popullit, që të mos lihen disa njerëz t’i interpretojnë këto çështje sipas qejfit. Ndoshta mund të bëhet ndonjë komunikatë nga Gjykata e Lartë për rezultatet e këtyre dy gjyqeve.

ENVER HOXHA: Unë mendoj që Aranit Çela të përgatisë një informacion të qartë së pari për Plenumin e KQ dhe ky informacion t’i lexohet pastaj gjithë Partisë.

RAMIZ ALIA: Kështu është vepruar edhe për çështjen e Beqir Ballukut.

ENVER HOXHA: Të informojmë për këtë çështje edhe popullin, por ne duhet të informojmë më parë Plenumin e KQ, të marrë një herë ky dijeni si u zhvilluan gjyqet, si i pohuan fajet armiqtë, të përmenden disa nga faktet më të rëndësishme dhe dënimet që u dhanë, pastaj informacioni të dërgohet poshtë, natyrisht vetëm për t’u lexuar, s’ka nevojë për komente.

FOTO ÇAMI: Leximin e materialit në Parti dhe në popull mund ta bëjmë shpejt, përnjëherë, me një sulm bile.

RAMIZ ALIA: Kjo punë po të organizohet mirë, për një javë mbaron.

ENVER HOXHA: Të kihet parasysh që informacionit vetëm një të lexuar do t’i bëhet.

RAMIZ ALIA: Siç del nga opinioni, shoku Enver, të paktën me kuadrot që kemi takuar dhe në bazë të atyre që më kanë raportuar shokët, populli është shumë i revoltuar nga veprimtaria e këtyre tradhtarëve. Disa nga kuadrot që u dërguan të ndiqnin seancat e gjyqit të parë, shprehën edhe pakënaqësia për dënimet që u dhanë për Fiqret Shehun dhe Nesti Nasen, nuk donin që këta të dy të ndaheshin nga Llambi Ziçishti. Me një fjalë kërkojnë që të pushkatohen dhe këta, se gjyqi vendosi me vdekje vetëm për Llambin, kurse dy të tjerëve u dha nga 25 vjet. Bile për Nesti Nasen prokurori kërkoi 22 vjet burg, pastaj nga presioni gjykata ia rriti, ia bëri 25 vjet, e rrumbullakosi edhe atë.

Më thanë se për gjyqin e dytë vendimi u dha sot në mëngjes. Mirëpo njerëzit nuk dinë asgjë se çfarë ka dalë me këtë grup që u gjykua me dyer të mbyllura, veçse opinioni përjashta, duke marrë parasysh dënimet që u dhanë në gjyqin e parë, menjëherë e kapi, mori me mend çfarë vendimi do të jepej edhe për këta.

E para, thanë njerëzit, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu do të dënohen me vdekje. Mihallaq Ziçishti, duke marrë parasysh se ka ndihmuar gjyqin, është penduar, meqenëse iu dënua edhe i vëllai me vdekje, nuk besojmë ta dënojnë me vdekje, kurse Llambi Peçini, si spiun e kriminel që është, me siguri që me vdekje do ta dënojnë. Në fakt, sot gjykata kështu vendosi, kërkoi dënim me vdekje për Kadrinë, Feçorin dhe Llambi Peçinin.

ENVER HOXHA: Po mirë ka gjykuar opinioni, më duket mua. RAMIZ ALIA: Kurse 25 vjet burg iu dha Mihallaqit.

ENVER HOXHA: Iu dha 25 vjet Mihallaqit, se u mor parasysh qëndrimi që mbajti ky. Shiko, edhe opinioni gjykon drejt.

RAMIZ ALIA: Po, po, edhe unë për opinionin e kam fjalën, që e pa drejt. Është interesant, ja, kështu gjykon mileti.

ENVER HOXHA: Po ç’thanë gjë në gjyq armiqtë?

HEKURAN ISAI: Asgjë. Kadriu në fund fare tha: “Rroftë partia dhe poshtë tradhtarët!”.

ENVER HOXHA: Tani të shohim ç’do të bëj.

SIMON STEFANI: Pavarësisht se do të kërkojnë falje apo jo, vendimin për dënimin e tyre me vdekje duhet ta shqyrtojë e ta vendosë Presidiumi i Kuvendit Popullor.

HEKURAN ISAI: Kur u dha vendimi, Llambit i ra të fikët në gjyq.

ENVER HOXHA: Po të tjerët me sa u dënuan?

HEKURAN ISAI: Me nga 10 vjet burg u dënua Ali Çenoja, Gani Kodra dhe berberi, kurse djali i Fiqretit, Skënder Shehu, me 15 vjet, Mihallaq Ziçishti dhe Nesti Nase, ashtu sikurse Fiqreti, u dënuan me nga 25 vjet.

ENVER HOXHA: Mirë ka gjykuar trupi gjykues, mendoj unë. FOTO ÇAMI: Këtyre tre të tjerëve, Ali Çenos, Gani Kodrës dhe berberit, më duket se pak u kanë dhënë nga 10 vjet burg.

HEKURAN ISAI: Vendimi për këta të tre u dha njëlloj. ENVER HOXHA: Ashtu janë edhe ata, armiq, po të tërë nuk mund t’i shkojmë në satër. Mua më duket se mirë i kanë gjykuar, se këta të tjerët më pak faj kanë pasur, për arsye se oficerë ishin dhe u janë bërë presione nga krerët. Pastaj Ali Çenoja, Gani Kodra dhe berberi nuk kanë qenë nga kryesorët, siç ishte Kadriu. Aliu një ndërlidhës ishte, ai ishte i prirë të zbatonte çdo urdhër që do t’i ngarkohej dhe ky është një faj shumë i rëndë nga ana e tij, siç ishte faj i rëndë gjithashtu që këta nuk i thanë asgjë me kohë Partisë, po këto faje të tyre nuk janë në atë shkallë sa të Kadriut, Feçorit, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit. Prandaj, midis gjithë këtyre duhej të bëheshin medoemos diferencime nga gjykata dhe drejt është vepruar që ka bërë diferencime, më duket mua. Sidoqoftë këta i qëruam.

HEKURAN ISAI: Ne kishim një ide që mendova ta hedh edhe këtu një herë.

ENVER HOXHA: Posi, thuaje!

HEKURAN ISAI: Kam porositur shokët e trupit gjykues që të fillojnë nga zbardhja e shiritave për t’i pasur si dokumente edhe të shkruara, duke filluar që nga Fiqreti që doli në gjyqin e parë, për të cilën ka akuza që janë shumë rrëqethëse. Së pari, është akuza për spiunazh, që ajo vetë e pranon se është e tillë. Ajo pranon gjithashtu që Mehmet Shehu ishte spiun, argumenton që edhe Kadri Hazbiu me Feçor Shehun janë agjentë, po kështu Mihallaq Ziçishti me Llambi Ziçishtin. Këtë akuzë e pranojnë si Mihallaq e Llambi Ziçishti, ashtu edhe Skënder Shehu. Shumica e armiqve, 7 prej tyre, e pranojnë këtë. Ne po marrim tani nga një ekstrakt nga deponimet e tyre të incizuara gjatë zhvillimit të gjyqit, të cilat i kanë dëgjuar të gjithë ata që ishin ftuar të ishin të pranishëm gjatë zhvillimit të gjyqit.

Mirëpo armiku punon. Ky ka filluar tani të përhapë dyshimin se a ka qenë vallë vërtet zëri i Fiqretit, kur njerëzit dëgjuan incizimet apo jo? Ne tani e përfunduam gjyqin, ku në një pjesë të seancave ka deponuar Fiqret Shehu, prandaj mendojmë që shkurt, për ato gjëra që na interesojnë dhe atje ku ajo u përgjigjet tri akuzave për terror, për organizatën e fshehtë dhe për spiunazh, të nxirret nga një ekstrakt.

Pastaj mendojmë të nxjerrim ndonjë ekstrakt tjetër nga deponimet e Llambi Ziçishtit mbi këto që pohon Fiqreti, vetëm atë pjesë, në të cilën Llambi tregon se është pjesëtar i grupit terrorist dhe për terrorin që do të bënte, si dhe për organizatën e çdo gjë tjetër. Ai ka pohuar se e kish thirrur në zyrë Mehmet Shehu, i kish dhënë porosi dhe i pat bërë presion për realizimin e terrorit. Të tëra këto do të përbëjnë një ekstrakt të dytë.

Një ekstrakt tjetër mendoj të nxjerrim nga gjykimi i Skënder Shehut, që ka pohuar se është spiun i rekrutuar nga babai i vet, roli më kryesor i të cilit ishte ai i spiunazhit. Kështu mendojmë të nxjerrim diçka nga pjesët më esenciale të gjyqit të parë për të hedhur poshtë çdo dyshim në publik, se këto janë deponime të bëra nga vetë armiqtë në gjyqin e hapur. Me këtë do të eliminojmë incizimet që janë marrë në gjyqin e mbyllur, ku del konkretisht fare qartë gjithë veprimtaria e spiunazhit, e agjenturës, e zbulimit dhe e kundërzbulimit, deri edhe me emra, të cilat nuk mund të dalin jashtë, për arsye se janë çështje tepër sekrete.

ENVER HOXHA: Mirë, si i shpjeguan armiqtë të gjitha këto që u janë provuar me fakte? Si qëndruan në gjyq ata, sidomos ai qeni, Kadri Hazbiu?

HEKURAN ISAI: Armiqtë që u nxorën para gjyqit të mbyllur i mohuan të gjitha këto, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Po si i mohuan të gjitha, kur do- kumentet ekzistojnë dhe ato figurojnë të shkruara?

RAMIZ ALIA: “Kanë vepruar pas kurrizit tim, Llambi Peçini me shokë”, ka kundërshtuar Kadri Hazbiu.

ENVER HOXHA: Po letra e Hysniut?

HEKURAN ISAI: “Këtë ma ka bërë Mehmet Shehu”, këmbënguli ai.

ENVER HOXHA: Po si ta paska bërë Mehmet Shehu?! Kjo është një letër e shkruar me dorën e Hysni Kapos.

HEKURAN ISAI: “Këtë ma ka bërë Mehmet Shehu se donte të më vriste, donte të më shkatërronte dhe e bëri për të shpëtuar veten”. Me një të tillë qëndrim, Kadri Hazbiu përpiqet të gjejë një rrugëdalje armiqësore.

FOTO ÇAMI: Po për ato që i përmendi Fiqreti?

HEKURAN ISAI: Po, po, të gjitha thëniet e Fiqretit janë të argumentuara.

FOTO ÇAMI: Këtë që thotë shoku Hekuran, dhënien me film të seancave të gjyqit, e kanë kërkuar edhe në Tiranë njerëzit. Disa bile kanë pyetur: “Do të na jepet vallë ndonjë sqarim me film, apo do të na jepet diçka vetëm sa për të dëgjuar, sikurse në rastin e parë?”.

RAMIZ ALIA: Se u mësuan njerëzit dhe në njëfarë mënyre presin të informohen.

HEKURAN ISAI: Ne mund të bëjmë ashtu si thamë, por, në rast se do të nxjerrim diçka për të dëgjuar populli, dhënia e disa pjesëve nga zhvillimi i seancave gjyqësore do të ishte më e fortë. Kemi biseduar paraprakisht me kuadrot e televizorit që t’i regjistronin seancat dhe, në qoftë se do të miratohej ky variant, sipas atyre ka mundësi të bëhet një gjë e tillë, të xhirohet një film që mund të zgjasë një orë e gjysmë, maksimumi dy, bile deri edhe në dy orë e gjysmë. I mbledh njerëzit në kinema, vë atje katër-pesë monitorë të mëdhenj, që Radiotelevizioni ynë i ka, dhe njerëzit rrinë e dëgjojnë.

FOTO ÇAMI: Me televizor nuk e transmeton dot zhvillimin e gjyqit, po vetëm sa për të dëgjuar, në rast se mund të bëhet diçka.

HEKURAN ISAI: Jo, me televizor mund të mos e japim.

RAMIZ ALIA: Ma parashtroi edhe mua Hekurani këtë mendim, shoku Enver, ne kemi biseduar mbi këtë çështje, e cila teknikisht mund të realizohet. ENVER HOXHA: Po si nuk realizohet? Për të bërë bëhet, vetëm duhet gjykuar mirë kjo çështje, se do të kërkojnë ta dëgjojnë të tërë zhvillimin e gjyqit.

RAMIZ ALIA: Aty është tërë puna. Sidoqoftë, mund të bëhet diçka që të dëgjohet brenda në një sallë të mbyllur me videokaseta.

HEKURAN ISAI: Dhe ta dëgjojnë vetëm kuadrot, shoku Enver, jo gjithë populli.

ENVER HOXHA: Po pse ta dëgjojnë vetëm kuadrot? – do të pyesin njerëzit.

LENKA ÇUKO: Po të bëhet kjo vetëm për kuadrot, pse të mos ftohen për të dëgjuar edhe një numër punëtorësh të dalluar dhe të tjerë elementë të mirë pa parti?

SIMON STEFANI: Me komunikatën që do të nxjerrim, shoku Enver, besoj se plotësojmë kërkesën e të gjithëve.

HEKURAN ISAI: Mirë, mirë, e plotësojmë, po kjo mënyrë që themi ne është shumë më bindëse.

SIMON STEFANI: Fjalën e shokut Enver, pas Plenumit të KQ që u bë për këtë çështje, ne e punuam kudo dhe tani gjithë njerëzit tanë kanë një ide të qartë për këtë veprimtari armiqësore.

VANGJEL ÇËRRAVA: Materiale janë dhënë plot mbi këtë çështje.

HEKURAN ISAI: Mirë, idenë e kanë të plotë njerëzit, po ne nuk e bëjmë për atë.

SIMON STEFANI: Pastaj ka edhe një gjë tjetër, në gjyq nuk vajtën pak kuadro nga Tirana.

FOTO ÇAMI: Nuk e zgjidh problemin vetëm pjesëmarrja e disa kuadrove që dëgjuan në gjyq dhe që nuk ishin vetëm nga Tirana, po nga tërë Shqipëria.

Back to top button