Kisha në Shqipëri me afreske që datojnë që në vitin 1270

Revista Travel ALBANIA inn, me botues Blue Agency, duket se po përcjell shumë mirë atë çfarë është ende në periferinë mediatike, por që duhet promovuar me çdo kusht.

Në fokus të kësaj reviste është Turizmi Rajonal, botuar këndshëm plot cilësi, ndërthurur me informacion të gjithanshëm për turizmin, një asset të çmuar, por jo të shfrytëzuar aq sa duhet. Lexuesi i interesuar mund të gjejë informacion pa fund për vlerat historike dhe kulturore, me një shtrirje në të gjithë territorin e vendit.

Në faqet e kësaj reviste zë vend edhe një shkrim promovues për Rubikun, Kishën e Shëlbuemit dhe për bujtinat që po hapin një rrugë të re në zhvillimin e turizmit në Mirditë.

Më poshtë, po përcjellim një pjesë nga ajo çfarë është shkruar në atë revistë:

“Kushdo ndjek rrugën e re nga Miloti në drejtim të Kukësit, diku në kilometrin e XV – të të këtij segmenti, të shfaqet qyteza e vjetër e Rubikut. E nëse në në krahun e djathtë të rrugës shikon mbetjet e ish Uzinës së bakrit, në krahun tjetër përballë, prej nëntë shekujsh qëndron “sfidantja“ e përjetshme, që i ka bërë ballë rrjedhave të historisë, Kisha e Shëlbuemit.

Vendi ku është vendosuar ajo Kishë është tejet i gjetur, majë një shkëmbi kryelartë. Për ti perifrazuar më saktë ato pamje të rralla, na del përpara një figurë disi enigmatike, shkrimtari e dijetari austriak Fabian Barcata, që ka shërbyer në kishën e Rubikut në shkrepin e bardhë, plot njëqind vjet më parë. Ai pati shkruar një libër të rrallë në formën e romanit me titullin “Lule” në gjermanisht.

Pikërisht në kërë roman, Barcata quante luginën e Fanit, si një nga më të bukurat në botë. Ky misionar i shquar pati shkruar dhe një ditar, që e pati quajtur “Ditari im shqiptar”, që bën fjalë për këtë vend e këto njerëz, ku asokohe kishte dhe ndonjë shtrigë, si shtriga e mullirit… që banorët e Bulgrit e patën mbytur më gurë, që të mos ua lidhte më tej fatin pas mitologjisë.

Fraza e famshme e këtij Frati, që shërbeu për 10 vjet mes mirditorëve për njërën nga luginat më të bukura në botë, ka mbetur proverbiale dhe dhe është e shumë përmendur në zonën e Mirditës, pasi kjo luginë, pra lugina e Fanit ndan mes përmes gjithë Mirditën në të gjithë gjatësinë e saj.”

Po le ti kthehemi Kishës dhe historisë së saj:

Ky objekt kulti ka shumë vlera. Në këtë kishë gjenden afreske ndër më të vjetrat në Shqipëri. Afresket janë të stilit bizantin, ku bazuar në shkrimet gotike që dallohen qartazi në to,vërtetohen qartësisht se këto afreske datojnë në vitin 1272.

E nëse tashmë kanë kaluar plot IX shekuj nga ai ndërtim dhe natyrshëm për atë kohë nuk mund të ketë dokumenta, janë studiuesit ata që na sjellin momente të besueshme për një saktësi sa më pranë të vërtetës. Referuar disave prej tyre, më afër duket se gjendent studiuesi Ndue Dedaj i cili është autor i një libri tashmë të mirënjohur në këtë fushë,“Toka e Katedraleve”, tregon se Kisha ka vërtetë vlera të rralla./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button