Kufijtë detarë/ Marrëveshja nisi në 1958 me pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat e luftës

Shqipëria dhe Greqia i rikthehen kufijve detarë, edhe pse duhet thënë se negociatat, apo ndryshe rregullimet me ligj i territorit të ujërave detare nuk nis as në takimet politike të vitit 2009, ku drejtonte Sali Berisha, as në 2012, dhe sigurisht as tani në 2020, kur kryeministër është Edi Rama.

Territoret detare janë ndarë që vitin 1958, kohë kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë së asaj kohe autorizonte Shefin e Shtabit të flotës Detare që të zhvillonte bisedime dhe të nënshkruante marrëveshje me Greqinë, lidhur me masat praktike për spastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat që mund të kishin mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhe pas kësaj vjen marrëveshja, ku janë shënuar dhe koordinatat që ndanin ujërat mes dy shteteve. Ajo bie në sy nga marrëveshja mes dy palëve, Shqipërisë dhe Greqisë, është se përmes neneve të ndryshme të saj dy vendet fqinje ja kanë njohur njëra-tjetrës ujërat përkatëse territoriale me koordinata të përcaktuara qartë edhe pse bëhej fjalë për dy vende pa marrëdhënie diplomatike dhe praktikisht në gjendje lufte që nga viti 1941, një ligj të pa shfuqizuar dhe sot.

Gjithsesi do të duheshin konventat e mëvonshme ndërkombëtare mbi kufijtë detarë, detin territorial, zonën speciale, rrafshnaltën kontinentale etj, që kjo njohje të ishte e vlefshme dhe e sanksionuar në aspekt global.

Çështja e hapur për kufirin detar, me pretendimin si e pastudiuar dhe e papërcaktuar më parë midis Greqisë dhe Shqipërisë në kanalin e Korfuzit, jo vetëm që nuk ka qenë e panjohur por madje ka qenë edhe e sanksionuar nga ana ligjore në disa marrëveshje kombëtare e ndërkombëtare deri në vitin 1958.

Pikërisht në vitin 1958 është bërë marrëveshja shqiptaro-greke për pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat, ku theksohet që çdo palë e kishte të qartë kufirin e zonave të veta me koordinata dhe me nene të caktuara të ligjshmërisë përkatëse detare.

Në fakt janë një sërë konventash kombëtare dhe ndërkombëtare duke filluar që nga konventa e Hagës e vitit 1907, vitit 1914 dhe e fundit për ne e vitit 1958, të cilat janë bazuar në koordinata të sakta e të miratuara nga të gjitha palët. Për shembull: marrëveshja e vitit 1958 midis Shqipërisë dhe Greqisë u bazua në: Konventën mbi detin territorial dhe zonën speciale; konventa mbi detin e hapur; konventa mbi peshkimin dhe rruajtjen e burimeve biologjike të detit të hapur dhe konventa mbi rrafshnaltën kontinentale.

Back to top button