Versioni turk për historinë shqiptare

, Versioni turk për historinë shqiptare

Debati për librat shkollorë të historisë në Kosovë, ka zgjuar interes edhe në Turqi. Në numrin e sotëm të “Sunday’s Zaman”, Erhard Turbedar merret me versionin e tij turk të historisë së shqiptarëve në epokën osmane. Ai është analist për politikë të jashtme në Fondacionin e Turqisë për Hulumtimin e Politikave Ekonomike (TEPAV). Artikullin e tij, të titulluar “Imazhi osman në Ballkan: rasti i Kosovës”, do ta botojmë të plotë.

Një nga temat që ka lënë gjurmë në agjendën e brendshme të Kosovës në gusht 2011 – por që ende vazhdon – është debati mbi imazhin turk dhe osman në librat kosovar të historisë.

Ajo çka nxiti debat ishte deklarata e ministrit turk të Arsimit, Omer Dinçer, i cili vizitoi Kosovën gushtin e kaluar dhe i cili tha se duhet të fshihen nga librat kosovar të historisë, shprehjet negative në lidhje me osmanët dhe turqit. Kjo çoi në shkrimin e shumë artikujve mbi raportet turko-shqiptare, ndërsa çështja është diskutuar edhe në disa transmetime televizive.

Edhe pse ka pasur disa vlerësime të favorshme për statusin e shqiptarëve në shtetin osman, skenën e mbizotëruan ata me idetë e gabuara historike në lidhje me osmanët.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu, i cili bëri një vizitë zyrtare në Kosovë më 26-27 gusht, tha se historianët e Kosovës duhet ta lirojnë veten nga historiografia ideologjike e Luftës së Ftohtë.

Shqiptarët kishin status të privilegjuar në shtetin osman. Interesat e tyre përputheshin dhe harmonizoheshin me ato të osmanëve, që nga pranimi i islamit. Sipas Bilal Simsir, 28 vezirë të Perandorisë Osmane ishin me prejardhje shqiptare. Historian Dennis P. Hupchick tërheq vëmendjen te fakti se nuk ka pasur rrethana në epokën osmane që ta bëjnë të nevojshme kryengritjen e përgjithshme shqiptare. Historiani i njohur i Ballkanit, Noel Malcolm, pretendon se ishin shqiptarët jashtë vendit ata të cilët në periudhën para vitit 1878 kërkuan krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Charles dhe Barbara Jelavich thonë se shqiptarët nuk kishin asnjë kërkesë për pavarësi nga osmanët, deri në vitin 1912, dhe se ata u përcaktuan vetëm për autonomi. Ata besojnë se shqiptarët kishin frikë nga pushtimi i tokave të tyre nga vendet fqinje, ndaj i druheshin copëtimit të Perandorisë Osmane.

Në fakt, shqiptarët ishin në mesin e më të goditurve gjatë procesit të shpërbërjes së shtetit osman. Kur formësimi i identitetit perëndimor shqiptar u bë i domosdoshme gjatë procesit të ndërtimit të shtetit modern shqiptar, shqiptarët nisën ta shkruajnë historinë e tyre duke lustruar të kaluarën e saj osmane. Kjo çoi në shfaqjen e elementeve anti-osmane dhe anti-turke në librat shqiptar të historisë. Siç ka thënë Malcolm, historianët shqiptarë paraqitën vetëm disa etapa të kryengritjeve – të bëra vetëm për të kundërshtuar rritjen e taksave, bashkë me zyrtarët shtypës osmanë – si pjesë e luftës së pavarësisë kundër administratës osmane.

Bërja e historisë, në të njëjtën mënyrë, vazhdoi edhe gjatë epokës komuniste, kur librat shkollorë përdoreshin për të shërbyer qëllimet e establishmentit, për politikat dhe ideologjitë e tij.
Është ende e mundur të shohësh sot – në botimet e Akademisë Shqiptare të Shkencave – artikuj dhe tekste që kualifikojnë osmanët si fanatikë dhe jotolerantë. Pikëpamja e gjerë e pranuar është se shqiptarët ishin të dërrmuar nga taksat e rënda nën administratën osmane dhe se ishin të privuar nga të drejtat elementare të njeriut.

Kjo mënyrë e të shkruarit të historisë duket se është miratuar edhe në Kosovë.

Sa u përket fakteve, paraqitja e historisë osmane është e njëanshme, e gabuar dhe jo e plotë, jo vetëm në tekstet shqiptare por te të gjitha vendet e Ballkanit. Derisa historiografia turke tenton të portretizojë periudhën osmane si “epokën e artë” të Ballkanit, e cila më vonë u trazua nga lëvizjet nacionaliste (një qasje po ashtu e diskutueshme për shumë historianë), popujt e Ballkanit dhe qeveritë janë të prira për ta perceptuar këtë histori të përbashkët në një mënyrë të ndryshme. Kontrastet mund të shënohen në mënyrën se si nacionalistët e caktuar në Ballkan fajësojnë epokën osmane për të gjitha të këqijat dhe fatkeqësitë e vendeve të tyre.

Është e mundur të shpjegohen paragjykimet kundër shtetit osman me dy faktorë kryesor. E para është se popujt e Ballkanit në shekullin e XIX ishin të ekspozuar ndaj romantizmit dhe nacionalizmit etnik perëndimor. Nacional-romantikët e Ballkanit jo vetëm që kanë luajtur një rol të suksesshëm në formimin e identiteteve nacionale dhe në nxitjen e dëshirës për pavarësi, por edhe kanë shtruar themelet që historia osmane të interpretohet duke qethur faktet objektive. E dyta është se kujtesa kolektive e shoqërive nuk ka shkuar shumë larg mbrapa. Popujt e Ballkanit mund të thuhet se kujtojnë epokën osmane kryesisht me zhvillimet gjatë shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX. Megjithatë, këto ishin periudhat kur trazirat dhe parregullsitë administrative, si dhe trazirat e brendshme janë harlisur në të gjitha vendet e territoreve osmane, përfshirë edhe Anadollin.

Një analizë e teksteve shkollore në vendet e Ballkanit sot dëshmon se mënyrat me të cilën osmanët trajtohen janë të pjesshme, se nuk ka hapësirë për pikëpamjet alternative në disa tema të diskutueshme dhe se tekstet janë të mbushura me diskursin nacionalist që ndonjëherë përmban edhe gjuhë fyese. Është gjithashtu e mundur që nëpër libra të ndjehen shqetësimet ideologjike dhe politike të autorëve.

Ajo që është gjithashtu e rëndësishme në këtë drejtim është se librat flasin – në pjesën më të madhe – për aspektet ushtarake dhe politike të shtetit osman, duke lënë shumë pak hapësirë për ngjyrimet sociale, kulturore dhe fetare të perandorisë.

Sidoqoftë, një pikëpamje më objektive e historisë osmane kërkon një ekzaminim të plotë të Ballkanit të atyre viteve, të jetës shoqërore dhe kulturore, të strukturës familjare, sistemit arsimor, marrëdhënieve midis grupeve shoqërore, institucioneve fetare dhe komuniteteve. Për sa kohë shteti osman shihet nga perspektiva e ushtrisë dhe e politikës, njerëzit në Ballkan vështirë mund të mësojnë disa faktorë të rëndësisë jetike, siç ishte toleranca fetare e shtetit osman dhe kontributet e tij në restaurimin e kishave.

Historia osmane dhe sundimi mbi Ballkan është shumë më kompleks dhe historianët e Ballkanit duhet të gërmojnë më thellë e të bëjnë një lexim më komplet – të tërë periudhës së historisë osmane – për të pasur një pikëpamje më të balancuar.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button