Shqipëria e vitit 2019

Bedri Islami  

Shqipëria e vitit 2019 është në një gjendje stanjacioni dhe ngecje të vazhdueshme, kryesisht nga keqqeverisja dhe vizioni i mangët i shtetarëve shqiptarë.

Ajo nuk është as më e mirë, as më e fortë dhe as më e sigurtë se në vitin2005, se në vitin 2013 , apo edhe më te,j në kohë të tjera qeverisëse në shtetin plural.

Shteti i së drejtës është nëpërkëmbur!

Kriza institucionale ka marrë përmasa të frikshme! Një president që kërcënon me përgjime është e llahtarshme.. Një ish president dhe ish kryeministër delirant dhe i krimit të hapur, që bën thirrje për rrokje armësh, është makabre… një drejtues qeverie, i cili, në ditën e mbylljes së portave të BE, miraton krijime Korporatash të rrezikshme, është edhe ai vetë i rrezikshëm.

Kriza financiare nuk është ndalur, rënia, kaosi, dëshpërimi dhe largimi nga vendi janë bërë plagë të hapura dhe të pranishme në jetën e secilit.

Rimëkëmbja ekonomike nuk ka nisur, në të kundërt, janë bërë hapa pas.

Rimodelimi ekonomik dhe konsolidimi i parametrave makroekonomikë e fiskalë janë në trajektoren e tyre negative të rënies.

Vetëdija kombëtare ka rënë!

Aktualisht ne kemi një klasë para-politike. Në thellësi e paarsimuar, pa ide dhe vizionin e Shqipërisë që duam.

Politika është bërë pronë e biznesit.

Biznesi është bërë pronë e politikës!

Në fakt, shteti ka rënë.

Duhet bërë ringritja e tij.

Ringritjen, jetike për vendin dhe kombin, nuk mund ta bëjnë ata që e kanë krijuar këtë greminë humnere dhe që janë përgjegjësit kryesorë të gjendjes; partia në pushtet dhe opozita që ishte pjesë e pushtetit.

Klasa e sotme politike nuk mund të bartë këtë ndryshimi.

Shqipëria është kjo që kemi. Që të ndryshojë ajo, duhet të ndryshojë klasa politike dhe mendimi i saj vizionar.

Dy partitë kryesore në Shqipëri, duke qeverisur sipas një alternimi 8-vjeçar, pasuruan veten dhe varfëruan popullin.

Alternimi i tyre në pushtet ka qenë vetëm alternimi i së keqes!

Monopoli i pushtetit, pasojë e sistemit kryetarokraci, përmes dy partive të mëdha dhe farsave demokratike, duhet të ketë një fund, ose, mjerisht, ky do të jetë fundi i ëndrrës europiane për shqiptarët.

Heshtja të vret.

Pranimi i së keqes të mposht.

Ndëshkim i së Keqes, premtim i hershëm i të majtës në pushtet, është harruar!

Shqipëri duhet të shkojë;

Nga një realitet I dhimbshëm – në një Shqipëri të ndryshuar

Nga premtime të bujshme – në realizime konkrete

Nga shtet oligark – në shtet rregullator në dobi të të gjithë popullit,sidomos të shtresave sociale në nevojë

Nga një ndarje e shtrembër e pasurisë kombëtare  në përfitimin e të gjithëve nga kjo pasuri,

Nga një shtet asocial – në shtetin social.

Nga një rritje e pandjeshme ekonomike – në rritjen e standardit të jetesës

Nga një politikë kombëtare të çastit – në politikën e studiuar kombëtare, me shtrirje programore në të gjithë trevat shqiptare, të lira apo nën shtete të tjerë, për prosperitet të përbashkët, të drejta njerëzore, politike dhe të pronës, rritje të ndikimit shqiptar në rajon dhe bashkim në familjen e madhe europiane.

Shqipëria e vitit 2019 është tabloja e përplasjes së furishme mes forcave politike.

Me një opozitë budallaqe që ende sot nuk e di përse ka dalur nga parlamenti dhe bredh rrugëve. Pa asnjë ide, veç përsëritjes së sloganeve që i kemi dëgjuar tash 30 vite, pa liderizëm real, të sigurtë dhe me një vizion të qartë. Asnjëherë , e djathta politike në Shqipëri , nuk ka qenë në këtë rënie të lire vlerash, ku janë bashkuar stafe mediokër, disa të përkëdhelur nga koha e pushtetit, të tjerë me ankthin e ditës kur do të jenë në pushtet.

Me një force qeverisëse , e cila është përqendruar në një grusht njerëzish dhe ku ky grusht, është në dorën e një njeriu të vetëm.

Është hera e pare, në dy vitet e fundit sidomos, që e majta nuk sjell përparim në 30 vite jetë plural. E majta nuk është më e majtë, kur e sundon një radikal i së djathtës,për të cilin shumë vetë, mes tyre edhe unë, besuam se do të jetë ndryshe dhe se ka zënë mend nga e djeshmja.

E majta është zotëruar nga një sekt politik, Rilindja. Kjo është farsa politike e Edi Ramës, si mënyrë pushteti, por edhe për llogaritë e së ardhmes.

Asnjë skandal financiar nuk e skuq më faqen e kësaj qeverie. Asnjë revansh neofashist, sidomos në perceptimin e Luftës nacional çlirimtare, nga kreu I Rilindjes, nuk sjell përbashkim.

Nëse kjo do të jetë edhe Shqipëria e vitit 2020, atëherë , nga të rinjtë, shumë pak do të jenë në këtë vend.

Çuditërisht kjo ndodh në kohën e sundimit t një njeriu që ishte idhulli I të rinjve dhe po bëhet shpresa e humbur e tyre.

Është e vërtetë se, një opozitë si jo e tashmja,është mallkim dhe bjerrje kohe. Ajo , sidomos krerët e saj ende nuk janë përgjigjur për krimet e tetë viteve pushtet. Nuk janë përgjegjur për Gërdecin, për 21 janarin, për rrugën e Kombit, për koncesionet masakër, për gropën humnerë financiare.

Të kesh besim se, kthimi I tyre në pushtet, është kthimi nga e mbara, është utopi. Një opozië që pushtetin e kërkon nga braktisja, sepse kështu iu tek shefit të tyre, që e synon përmes molotovëve dhe mitingashëve të paguar, me liderë si këto që janë sot, është të kërkosh rimallkimin.

Viti 2019 është një vit për t’u harruar.

E keqja është se dritat janë shuar dhe Shqipëria po ecën nëpër terr.

Back to top button